Stadiumi i Kukësit pa hapësirë të dedikuar për biletarinë

-

“Besoj se ky stadium është trofeu më i madh në Kukës. Falë meritës që ka pasur Kukësi është edhe ky stadium. Ka sjellë trofeun më të rëndësishëm, titullin kampion në Kukës, që ishte utopi për shumë tifozë”. Kështu deklaroi Z. Safet Gjici, kryebashkiaku i Kukësit dhe njëkohësisht presidenti i nderit të FK Kukësit një vit përpara hapjes së stadiumit të ri.

Të gjithë sportdashësit u gëzuan për hapjen e stadiumit të ri të Kukësit që i vendosën emrin “Kukës Arena”. Financimi i përbashkët, Qeveri-Federata Shqiptare e Futbollit i kaloi 10 milionë dollarët, ndërsa kapaciteti i ulëseve arriti deri në 6200 vende. Për këtë stadium tifozët pritën rreth katër vite. Mirëpo, teksa ka kaluar më shumë se një vit nga ndërtimi i një prej impianteve më të rinj dhe me parametra moderne për nivelin e Abissnet Superiores, duket që këtij stadiumi i mungon diçka e rëndësishme, dhe jo diçka që qëwndron në vetëm konturet e estetikës. Stadiumi i ri nuk ka një sportel biletarie për tifozët. Ironikisht, stadiumi i vjetër, edhepse i vjetër e kishte hapësirën e dedikuar për biletarinë. Kjo mund të renditet çudia e dytë në vendin tonë sa i përket mungesës së sporteleve. Edhe tifozët në stadiumin e Air Albania u ankuan për mungesë të një biletarie. Megjithatë edhe pse larg godinës së vet, biletaria për të parë ndeshjet në këtë stadium u zhvendos në “Selman Stërmasi”.

Si spektator dhe sportadashës mua më ka rënë rasti që të paguaj biletë për të hyrë në stadium, por edhe falas. Hyrja falas është një metodë që është ndjekur rregullisht nga Klubi i Futbollit të Kukësit për të nxitur pjesëmarrjen në shkallët e “Kukës Arena”. Kjo për shkak të braktisjes së vendit nga emigracioni, si dhe lojës së dobët së ekipit verilindor në këtë sezon futbollistik. Blerja e biletës lë shumë për të dëshiruar pasi në vend të një sporteli dinjitoz siç funksionon në çdo vend të botës janë disa hekura ndarës mes tifozit dhe dy të moshuarve që shesin biletat e shpërndara nëpër dy copa kartoni. Hekura që ndajnë tribunat anësore me pjesën e jashtme të stadiumit. Në një skutë që shërben si biletari tifozët “luftojnë” me njëri-tjetrin, duke u shtyrë në garën se cili do të jetë më i shkathët të zgjasë duart mes hekurave me pesë mijë lekëshin ndër duar, për të mos llogaritur në këtë betejë edhe fëmijët që shohin sportin, apo vajzat dhe gratë sportdashëse.

Kjo skenë, të cilën më është dashur ta përcjell disa herë nuk e di pse më kujton filmin aksion “Undisputed” me personazhin e famshëm Bojka nga Skott Adkins, ku të gjithë thërrasin: “Bojka, Bojka!”. Duhet të jesh i rrethuar nga shumë spektatorë, që të nxisin e frymëzojnë, që ti të dalësh i pari në radhë. “Një biletë dy mijë lekëshe o xhaxh, një biletë dymijshe”, – dëgjohen ca zëra të mbytur fëmijësh që rreken të çajnë kordonin e gjatë të formuar nga bërrylat e të rriturve, që edhe këto ngjeshen në radhën e hapësirës së improvizuar dhe dedikuar të biletarisë.

Nëse Kukësi do të arrinte të kapte Kupat e Evropës dhe tifozët e huaj do të vinin në “Kukës Arena” me siguri që mungesa e një sporteli biletarie do të binte në sy dhe do t’i surprizonte ata. Paralelisht më kujtohet një rast jo shumë i ngjashëm nga problematika, por që lidhet me imazhin e stadiumeve tona në sytë e vendeve tjera. Pas barazimit në “Qemal Stafa” me kombëtaren e Kuzhes, mediat daneze përveç komenteve mbi lojën jo të mirë të skuadrës së tyre, kanë mbushur faqet sportive edhe me fjalët se futbollistët daneze janë larë me ujë të ftohtë pas ndeshjes. Le të shpresojmë që stadiumi i qytetit të Kukësit të mos kthehet në gazin e botës dhe të krijohet një vend dinjitoz për biletat, ashtu siç e meriton çdo tifoz, dhe çdo investim i ri.

Gjithashtu në Rregulloren e Infastrukturës të vitit 2019 nga Federata Shqiptare e Futbollit “de jure” biletaria është shërbimi më i paktë që duhet t’ju sigurohet spektatorëve në stadium. Në këtë rregullore shkruhen standarte më të larta sesa kaq.

Mes të tjerave aty flitet për kapacitetin e spektatorëve; tribunat dhe ambientet për spektatorët; rrugët për hyrjet, daljet dhe qarkullimin e publikut; sistemi i ndriçimit të emergjencës; sistemi i adresave publike; ambientet sanitare për spektatorët; ambientet e ndihmës së parë për spektatorët; ambientet për spektatorët me aftësi të kufizuara; vendet ku ulen VIP dhe zona e pritjes.

A mos ndoshta po kërkoj shumë, një biletari?!

Gezim Hilaj
Gezim Hilaj
Gëzim Hilaj ka mbaruar studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Ai mbulon çështje me fokus tematikat sociale dhe është lëvrues i gazetarisë investigative, për të cilën është vlerësuar me çmim ndërkombëtar. Ai është aktivist i njohur i shoqërisë civile.

Dërgo artikullin

Të Fundit

Kategoritë

LËR NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here

Komentet e Fundit