Gjashtë llojet e gjuhëve të huaja që flasin shqiptarët

-

Gjuha e huaj kurdoherë është pasuri dhe shqiptarët si një popull i varfër dhe nëpërkëmbur ekonomikisht e dinë shumë mirë këtë gjë. Pozicionimi mes Lindjes dhe Perëndimit, një faktor gjeopolitik, që ka ndikuar ndjeshëm në gamën e përdorimit të gjuhëve të huaja nga shqiptarët. Po cilat janë gjashtë gjuhët e huaja që dinë më së miri shqiptarët:

1. Flasin mas shpine

Komunikimi joverbal zë 60-70 % të hapësirës së komunikimit në jetën e përditshme dhe ekspertët e komunikimit nënvizojnë një korrelacion pozitiv mes karakterit të njeriut dhe komunikimit joverbal. Shqiptarët nuk të shikojnë në sy kur flasin. Ata preferojnë të flasin pas shpine. Pas shpine është më e sigurt, preferencalisht në një distancë gjeografike të konsiderueshme që të eleminohet çdo mundësi dëgjimi. Kjo është më konforte për ta. Ata janë të aftë dhe kompetent të flasin për çdo gjë, për pagën e tjetrit, për pushimet verore, për sekretet, për fjalë të pathëna që duheshin thënë, për dasmën, për taksa të papaguara, për falsifikime dokumentash, apo për intervistat e punës që nuk i ka fituar. Të gjitha këto pas shpine.

2. Flasin me veten

Kur flas me veten time kam gjithmonë të drejtë, – tha një klient teksa po dilte nga seanca e fundit me psikologun klinik. Konflikti dhe debatet si një industri gjithnjë e në rritje kanë rritur vigjilencën e njerëzve kundrejt marrjes së masave që ata të krijojnë dhe jetojnë në harmoni me veten e tyre. Kështu që ata nuk preferojnë më të flasin me të tjerë e në vend të kësaj ata flasin me veten e tyre. Flasin me zë të ulët por kur e kërkon nevoja ngrenë edhe zërin dhe e shoqërojnë me gjestikulacion, kryesisht duke lëvizur duart si një dirigjent i regjur. Ata flasin me veten përpara pasqyrës, kur janë përballë me mikun e ri, flasin në urban, flasin në semafor, flasin dhe përballë vitrinave të mishtoreve. I flasin mishit të viçit. I flasin zgarës. I flasin dhe erzave.

3. Flasin për hallkun

Fillesat e formimit të personalitetit për fëmijët sipas ekspertëve dhe studiesve të fëmijërisë së hershme thuhet që janë në momentin kur fëmijët fillojnë të thonë për herë të parë: “Unë jam”. Këtu nis krijimi i karakterit për ta. Përgjithësisht për njerëzit është më e lehtë të flasin për të tjerët sesa për veten e tyre. Kjo lidhet me vetvlerësimin që njeriu ka për veten e tij, që në shumicën e herëve vjen i ulët. Madje ka nga ata fëmijë, adoleshentë, të rritur, adoleshencë e hershme që kurrë nuk e thonë dot “Unë jam” dhe në vend të kësaj flasin vetëm për të tjerët. Të tjerët mund të jenë kushdo, komshinjë, baxhanakë, miq, kolegë punë, thjeshtër, njerku, taksistët, lektorët e universiteteve publike që nuk dinë mirë të flasin gjuhën angleze, anëtar këshilli bashkiak që kanë qenë ngelës një vit në gjimaz, financierë që nuk njohin Alpha Program, punonjës për Mbrojtjen e Fëmijëve që janë të pamartuar, gazetarë që nuk bëjnë dallimin mes q dhe ç, apo kujdestar të moshuarsh që nervozohen shpejt. Kushdo mund të jetë kandidat potencial për t’u bërë pjesë e thashethemeve.

4. Flasin masi të ftohet pilafi

Flisni tani ose heshtni përgjithmonë, – thuhet mes të tjerave në ceremoninë e llojit religjioz të martesës. Kjo frazë nënvizon rëndësinë e fjalës së thënë në kohën dhe vendin e duhur. Ka gjithmonë një kohë të përshtatshme për të folur, një kohë të volitshme kur x-problem mund të zgjidhet me y- alternativë dhe nëse e njëjta formulë aplikohet më vonë normalisht që do të kemi rezultate të ndryshme. Shqiptarët flasin masi të ftohet pilafi, gatim që në këtë kontekst simbolizon kohën e duhur. Në kohën kur duhet folur ata nuk e kanë mendjen ose bëjnë sikur, merren me gjëra të parëndësishme, luajnë me telefon, kruajnë hundën, qeshin me tjetrin përbri që thotë me zë të lartë dhe mbron mendimin e tij, flasin për politikë, ose hapin një llogari në “tik-tok”. Tragjedi-komedia rritet kur përveçse nuk flasin atëherë kur duhet ata nuk pushojnë duke folur dhe komentuar për ata që folën në kohën e duhur. Nuk i honepsin dot.

5. Flasin jerm

“Brain Fog” dhe “Cloudy thinking” kanë dalë nga rrënjët e fjalës jerm. E folura kuturu, përçart, kllapi. Periudha pas daljes nga narkoza njihet ndryshe si jermllik. Shqiptarët janë çdo ditë nën efektin e anestezisë, lokale dhe asaj të përgjithshme. Anestezinë nuk e marrin nga bombulat e spitaleve por nga përballja me realitetin e përditshëm. Gjatë kohës që flasin jerm ata nuk janë të vetëdijshëm ose janë gjysmë të vetëdijshëm për këtë gjendje. Jermimi është i vetmi koindicion fiziologjik ku shqiptarët janë elokuent. Flet jerm por është elokuent ama.

6. Flasin me zë të lartë

Të folurit me zë të lartë është zbuluar vonë që ka lidhje me dëmtime të mundshme të membranës timpanike të veshit, pra njerëzit që flasin me zë të lartë kanë të dëmtuar veshin dhe dëgjojnë më pak. Pra ata flasin me zë aq të lartë saqë të dëgjojnë veten e tyre duke menduar që edhe tjetri është në të njëjtin nivel. Shqiptarët flasin me zë të lartë dhe për shkak të një periudhe të gjatë qëndrimi në atmosferën e injorimit nga familja, partnerja, puna apo shoqëria. Ata mendojnë që një zë i lartë rrit fuqinë e argumentit në një diskutim dhe nuk i ndahen këtij qëndrimi. Ndonjëherë ata flasin me zë të lartë edhe për të tërhequr vemendjen. Ata janë mësuar dhe e ngatërrojnë këtë qëndrim me praktikën në studiot televizive ku kamera fikson më shumë atë që flet me zë të lartë dhe ndërpret të tjerët.

Arben Vata
Arben Vata
Arben Vata është gazetar në qytetin e Kukësit. Ai mbulon çështje me rëndësi sociale dhe kulturore për komunitetin. Ai është edhe lëvrues i gazetarisë argëtuese.

Dërgo artikullin

Të Fundit

Kategoritë

LËR NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here

Komentet e Fundit