Lirikë Kuksiane 7 – Livadhet e tona të mushme me bar

Është krejt e njohur dhe e dijshme pjesa e fshehur e komunikimit mes dy familjave të çiftit përpara martesës për kërkimin e tyre se çfarë pasurie fsheh dhe posedon secila palë. Martesat, sidoqoftë lloji i tyre, të planifikuara, të rastësishme, me shikim të parë, më dashuri apo me shkesi, ndër vite ata kanë pasur një emërues të parbashkët: kanë tëndencë për të qenë brenda të njëjtin status (ekonomik, social apo politik). “Livadhet e tona të mbushme me bar”, - tregon një status ekonomik që familja e dhëndrrit mundohet ta përdorë si aset përballë asaj të nuses.

Lirikë Kuksiane 6 – Struka e cucës

Struka e Cucës është një ndër vijat melodike më të njohura dhe përcjellura mes brezash. Kjo përmbledhje lirike ka gjetur veten dhe ka ruajtur autencitetin edhe mes udhëtimeve në kohë, duke u bërë me ose pa dëshirë, pjesë e transformimeve të ndryshme muzikore. Ajo rri mirë kudo, në dasma, në makina, në koncerte e festivale, në valët e radios, në shfaqjet televizive apo në masdarkshe. P.S: Kënga është përcjellur e reduktuar për arsye të kohës së kufizuar në ditën e xhirimit si edhe temperaturave relativisht të ulëta, të cilat në atë orar të ditës e bënin të vështirë instrumentimin me dajre. Dahirja, për shkak të përmbajtjes së saj prej lëkure, në temperatura të ulëta nuk e kryen funksionin e saj siç duhet, nuk lëshon tinguj të plotë dhe ka melodi të thatë. Kjo ka qenë dhe arsyeja që dasmat dikur bëheshin më shumë në stinën e Verës.

Lirikë Kuksiane 5 – Dhandërr ô, dhandërr ĕ

Natyrisht që në një dasëm dy personazhet kryesorë janë dhëndrri me nusen por në këtë këngë lirike vihet në dukje puna e dhëndrrit në organizimin e të gjithë ceremonisë. Përpos lodhjes, rraskapitjes dhe mundimit në të gjithë përgatitjen e eventit (si kanili n’kam u dogja) dhëndrri shpreh nga ana tjetër edhe merakun për mbarëvajtjen e të gjithë dasmës dhe konkretisht pjesës së ftesave dhe mbledhjes bashkë të të gjithëve, shokve, miqve e bijave. Duke konsideruar distancat e largëta mes shtëpiave e katuneve dasmat shpeshherë shërbenin si i vetmi motiv dhe shtysë për të vizituar dikë, sidomos për bijat e familjes, të cilat shkëmbenin kohë bashkë vetëm në të tilla raste.

Lirikë Kuksiane 4 – Ani mor ti djalë

Komplimentat janë shumë të rëndësishme në një marrëdhënie afatgjatë, aktive dhe të qëndrueshme. Për herë të parë kemi një rrjedhë me kah të kundërt të komplimentit, ku vajza i shpreh publikisht simpatinë djalit dhe jo e anasjellta siç ndodhte/ndodh zakonisht. Ajo zgjedh detaje të jashtme të aparencës së djalit për t’i vënë në pah publikisht dhe me guxim si tufat e sahatit apo tufat e shamisë. Interesante është dhe vendet më të zakonshme të pikë-takimeve të tyre: Bajraku dhe Xhamia.

Lirikë Kuksiane 3 – Hajt ta lidhim besën me një fije kashte

Ngacmimi dhe sulmet ndaj nuses në tekstet e këngëve të dasmave lumjane zënë një ndër kapitujt më intrigues dhe të çuditshëm në të gjithë krijimtarinë dhe oazin kulturor të zonës. Nusja në këto vargje paraqitet e zënë ngushtë, e ngushtuar, disi e mekur dhe që ka vështirësi të artikulohet. Përpos kësaj paraqitet dhimbja e vajzës për largimin nga shtëpia e nënës dhe kjo sipas traditës kryhet vetëm pasi merret leja e Babës dhe e Dajës. Në këtë këngë flitet dhe për kreditet sociale të nuses, e cila me ironi tashmë quhet një “Zojë”. Pra ajo ka kaluar nga statusi social cucë devojkë në nuse zonjë (A t’erdh keq oj nuse zoja).

Lirikë Kuksiane 2 – Moj e mira nëpër ferra

Shprehja e dashurisë dhe tërheqja ndaj të bukurës janë tema dhe subjekte të trajtuara me mjaft delikatesë edhe në këngët lirike tonat. Kemi “Bunarin” dhe “Krojnin” si dy vendtakime tipike ku shkëmbeheshin shikime dashurie mes grave dhe burrave. Jo çdo martesë në të shkuarën kryhej me “shkesi”. Te Bunari dhe Krojni takoheshin “rastësisht” dashuritë e mëdha. Ai ishte vend frymëzimi për të rinjtë (Mos dil te bunari se mi lujte ment e kresë). Bunari ishte uji që lëvizte gurët e pëlqimit. Në këtë këngë shprehet dhe ndryshimi midis brezave dhe gjeneratave (S’po na lan ne plakat me hy mrena jo). Pra, mosha e tretë, plakat, ishin ruajtëse e fanatike të traditës dhe kulturës vendase ndërkohë që të rinjtë kërkonin modifikime të vogla kulturore, diçka të re, ndryshime të cilat erdhën më pas me kalimin e kohës.

Lirikë Kuksiane 1- More zogu i ferrës

“Lirikë Kuksiane” përfshin një përmbledhje të këngëve tipike që këndoheshin nga gratë e Lumës gjatë ceremonisë së dasmave. Në këtë video të shkurtër do të gjeni këngë lirike, të cilat trajtojnë me finesë shumë tema të kohërave të mëparshme, si dasma, stina e verës, marrëdhëniet me miqtë apo emigrimi. Ky koleksion synon të riprodhojë atë traditë shpirtërore të qytetit të Kukësit, e cila po zbehet e shkon drejt zhdukjes për shkak të zhvillimeve të vrullshme të teknologjisë, globalizimit kulturor dhe shumë faktorëve të tjerë influencues.