Natyrisht që në një dasëm dy personazhet kryesorë janë dhëndrri me nusen por në këtë këngë lirike vihet në dukje puna e dhëndrrit në organizimin e të gjithë ceremonisë. Përpos lodhjes, rraskapitjes dhe mundimit në të gjithë përgatitjen e eventit (si kanili n’kam u dogja) dhëndrri shpreh nga ana tjetër edhe merakun për mbarëvajtjen e të gjithë dasmës dhe konkretisht pjesës së ftesave dhe mbledhjes bashkë të të gjithëve, shokve, miqve e bijave. Duke konsideruar distancat e largëta mes shtëpiave e katuneve dasmat shpeshherë shërbenin si i vetmi motiv dhe shtysë për të vizituar dikë, sidomos për bijat e familjes, të cilat shkëmbenin kohë bashkë vetëm në të tilla raste.